SOT ËSHTË 115-VJETORI I KONGRESIT TË MANASTIRIT

Më 14 nëntor 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njehsuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka përkujtuar 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit ose thënë ndryshe Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe.

„Dijetarë e atdhetarë me në krye Mit’hat Frashërin, lanë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe i dhanë jetë Alfabetit që kemi sot. Kjo është një ditë e shënuar dhe një moment reflektimi për të gjithë ne, për ta ruajtur gjuhën tonë si simboli më domethënës i identitetit tonë kombëtar,“ shkruan Dukaj.

SHARE