Qeveria e Malit të Zi miratoi projektligjin për buxhetin për vitin 2023, i cili parashikohet të jetë 2.85 miliardë euro. Në fillim të seancës së Qeverisë, kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq tha se buxheti për herë të parë parasheh rritje të pagave në administratën publike, arsim dhe polici.
“Qeveria e 43-të nuk ka marrë hua gjatë vitit. Eksportet janë 70 për qind më të larta se një vit më parë, dhe mbulimi i importeve me eksporte ka arritur në 20 për qind. Rritja e ekonomisë është 7.7 për qind, ndërsa në vijim pritet rritje prej 5 për qind”, tha Abazoviq në seancën e Qeverisë. Ai gjithashtu tha se kemi buxhetin më të madh kapital që ka pasur ndonjëherë Mali i Zi. “Për herë të parë parashihet rritje pagash në administratën publike, në arsim dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjegjësisht në polici. Për herë të parë po vendoset shtesa për fëmijë për të gjithë fëmijët në Mal të Zi dhe për herë të parë sigurohen mjete për të sapolindurit”, tha Abazoviq.
Damjanoviq tha se buxheti prej 2.85 miliardë euro synon ruajtjen e standardit të jetesës së qytetarëve. „Sipas propozim-buxhetit për vitin e ardhshëm, gjithsej përfitimet sociale do të rriten për 45 milionë euro, 35 milionë euro janë të destinuara për rritjen e pensionit. Ndërsa, për rritjen e pagave janë paraparë 67 milionë euro,“ tha ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq. Damjanoviq tha se fondet e munguara për vitin e ardhshëm parashihen në nivelin prej 705 milionë euro, ndërsa kufiri për borxhin e vitit të ardhshëm është deri në 600 milionë euro.
Ministri i Arsimit Miomir Vojinoviq tha se, siç është planifikuar në buxhetin për vitin 2023, mësimdhënësit do të kenë rritje gjithnjë e më të madhe të pagave, por nuk ka specifikuar se sa do të rritet paga. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Radomir Bozhoviq, tha për Portalin e RTMZ se ende nuk kanë informacione se sa është rritja e pagave. Ai përkujtoi se paraprakisht kishin kërkuar rritje të pagave prej 45%, ndërsa në ditët në vijim presin takim të ri me ministrin Vojinoviq. Vojinoviq në seancën e Qeverisë tha se do të ndërtohen shkolla dhe çerdhe të reja dhe se për këtë janë ndarë rreth 4.5 milionë euro. “Ne vitin e ardhshëm do ta zgjidhim edhe problemin e transportit të mësimdhënësve dhe do të fitojmë më shumë se 1.1 milion euro për digjitalizim. Për konviktet e nxënësve dhe studentëve e kemi rritur ndarjen dhe tani do të jetë më shumë se tre milionë euro”, tha Vojinoviq.