OSMANI: DATA E ZGJEDHJEVE NË VERI MUND TË JETË 18 DHJETORI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me përfaqësues të subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pasi kryetarët e këtyre komunave me shumicë të banorëve serbë dhanë dorëheqje më 5 nëntor.  Presidentja Osmani tha se ajo është e obliguar me Kushtetutë të Kosovës që në një situatë të tillë është obligim të shpallë zgjedhjet e reja, por fillimisht të konsultohet me partitë politike për datën e zgjedhjeve. Osmani në këtë takim ka ftuar të gjitha partitë me përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, po ashtu partitë që janë të regjistruara në regjistrin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Ajo tha se në takim me partitë politike pjesëmarrëse është diskutuar për përgatitjet që i duhen KQZ-së për zgjedhje dhe procedurat tjera të sigurisë që gjithçka të shkojë sipas standardeve demokratike. “Nga të gjitha partitë që ishin prezente kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor sepse është data e fundit që lejohet mbajtja e zgjedhjeve por në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi KQZ-së në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Ne sapo t’i përfundojmë këto deklarime do të ulemi edhe njëherë me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjmë publik vendimin përfundimtar”, theksoi Osmani. Osmani tha se si opsion është edhe data 11 dhjetor, por me shumë gjasë do të mbetet që zgjedhjet të mbahen më datën 18 për shkak të kohës më të madhe që institucionet të përgatiten. Ajo tha se do t’u drejtojë kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve me pjesëmarrje sa më të madhe në këtë proces zgjedhor. Si presidente e vendit Osmani theksoi se do të bëjë çmos që në koordinim me institucionet e vendit të ndërmerren të gjitha masat që në këto zgjedhje të jetë në nivel siguria. “Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave të veriut, assesi nuk është çështje dëshire dhe vendim që mund të ndryshohet sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Osmani.

SHARE