Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në konferencën për shtyp në kuadër të Konferencës së Investimeve BE–Mali i Zi, kryeministri Millojko Spajiq dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen diskutuan për progresin evropian të Malit të Zi dhe projektet zhvillimore.
Spajiq theksoi se koha për investime dhe projekte të mëdha infrastrukturore është tani, duke përmendur si projekte kyçe rrethrrotullimin e Budvës dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore.
Ai gjithashtu tha se raporti i Komisionit Evropian për Malin e Zi mund të publikohet më 4 nëntor, dhe përsëriti përkushtimin e qeverisë ndaj reformave dhe rrugës drejt BE-së.
Von der Leyen deklaroi se Mali i Zi është lider në procesin e integrimit evropian dhe njoftoi se vendi mund të mbyllë deri në pesë kapituj negociues deri në fund të këtij viti, madje potencialisht të gjitha, nëse vazhdon me përkushtim dhe unitet politik.
Ajo paralajmëroi heqjen e tarifave të roamingut midis Malit të Zi dhe BE-së gjatë vitit të ardhshëm, dhe njoftoi për një ndihmë prej 38 milionë eurosh përmes Planit të Rritjes, për të mbështetur reformat dhe integrimin evropian të vendit.
Lidhur me çështjet e drejtësisë dhe lirinë e mediave, presidentja e KE theksoi se media e lirë është themeli i BE-së, por nuk komentoi hetimet në vazhdim të prokurorisë speciale.
Ajo kërkoi që në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe shprehu shpresën për zgjidhje të shpejtë në Kuvend.
Spajiq përmbylli duke theksuar se efikasiteti institucional dhe anëtarësimi i shpejtë në BE duhet të jenë prioritet, duke u shprehur optimist për përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në rrugën evropiane.