RAMA: HAPIM DYERT E INSTITUCIONEVE NDAJ INOVATORËVE PËR KRIJIMIN E MODELEVE TË IA-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se kanë rënë dakord brenda institucioneve për të hapur dyert e qeverisë për të gjithë inovatorët për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale dhe krijimin e modeleve të IA-së, raporton Anadolu.

Rama ishte i pranishëm në një nga aktivitetet e Forumit të Investimeve Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, ku ai vlerësoi rëndësinë e krijimit të një hapësire bashkëpunimi për inovatorët dhe startup-et, duke ofruar akses në institucionet shtetërore dhe burimet e të dhënave që do të mundësojnë zhvillimin e zgjidhjeve të reja përmes inteligjencës artificiale.

“Duam që startup-et, inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe duke aksesuar institucionet të kenë mundësi të shohin nga afër problematikat, por dhe të shfrytëzojnë të dhënat e tyre, të shfrytëzojnë statistikat e tyre, të shfrytëzojnë të gjithë atë brumë që pastaj është baza e zgjidhjeve përmes inteligjencës artificiale dhe të krijimit të modeleve të inteligjencës artificiale”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se është një bekim i madh “që jetojmë në këtë kohë kur teknologjia digjitale dhe tani dhe inteligjenca artificiale na japin mundësi”.

“Ne kemi sfidën të krijojmë një akselerator shumë të fuqishëm në mbështetje të ministres sonë të inteligjencës artificiale që është vet inteligjencë artificiale dhe natyrisht që ky akselerator do të bazohet tek kapitali njerëzor që ne kemi brenda AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) apo brenda agjencisë së ekselencës dhe me këtë sinergji do të mundohemi që çdo njërit nga institucioneve qendrore t’i zgjerojmë trurin me inteligjencën artificiale. Ky është plani”, tha ndër të tjera Rama.

Në Shqipëri po vazhdon në ditën e dytë Forumi i parë i Investimeve Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, që ka mbledhur zyrtarë nga rajoni, BE-ja dhe investitorë nga vende të ndryshme.

I mbështetur nga Komisioni Evropian, forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, zhvillimi i forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me BE-në dhe ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

SHARE