Një terminal nafte në Feodosia, në gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, u dogj pas një sulmi ukrainas me dronë.
Një zyrtar ukrainas i sigurisë i tha Reuters, në kushte anonimiteti, se dronët e lëshuar nga shërbimi i inteligjencës SBU i Ukrainës dhe forcat speciale ushtarake goditën të paktën pesë rezervuarë.
Burimi shtoi se dronët goditën gjithashtu të paktën dy nënstacione elektrike ruse në gadishullin, të cilin Rusia e mori nga Ukraina në vitin 2014.
Shenja të mëdha nxehtësie rreth terminalit në Feodosia ishin të dukshme në shërbimin satelitor të monitorimit të zjarrit të NASA-s, FIRMS, dhe guvernatori i Krimesë, i emëruar nga Moska, konfirmoi zjarrin.
Terminali në Feodosia u sulmua edhe javën e kaluar. Ukraina ka ndërmarrë më shumë se 30 sulme ndaj infrastrukturës energjetike ruse që nga fillimi i gushtit, duke synuar të pengojë financimin e makinës së luftës së Kremlinit dhe duke shkaktuar gjithashtu një rritje të çmimeve të karburantit brenda Rusisë.
Krimea është një nga zonat që po përjeton mungesë karburanti dhe racionim, pasi Rusia ka humbur kapacitetin e rafinimit për shkak të sulmeve ukrainase.
Në anën tjetër, forcat ruse sulmuan Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke i ndërprerë energjinë elektrike për 30,000 klientë një ditë më parë.
Kryetari i bashkisë, Ihor Terekhov, tha se tre bomba dëmtuan një spital dhe goditën linjat e transmetimit të energjisë. Katër persona u plagosën, kryesisht nga xhamat e thyer.
Të martën, Kievi njoftoi se forcat ruse kishin goditur një autokolonë me ndihma të Kombeve të Bashkuara në rajonin ukrainas të Hersonit, pjesërisht i pushtuar nga Moska.
Kreu i administratës rajonale ushtarake tha se dronët rusë dhe sulmet me artileri u kryen pranë qytezës Billozerka, e cila ndodhet në frontin e luftës.
“Pushtuesit me qëllim shënjestruan kamionë të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së me dronë dhe artileri,” shkroi në rrjetet sociale zyrtari lokal Oleksandr Prokudin. Ai tha se autokolona përbëhej nga katër makina, ku “një makinë u dogj krejtësisht, një tjetër u dëmtua rëndë”, ndërsa dy makinat e tjera shpëtuan nga sulmi.