NATO ka nisur stërvitjen e përvitshme për të praktikuar mbrojtjen e territorit të aleancës me armë bërthamore. Në sfondin e shqetësimeve për një konflikt të mundshëm me Rusinë, manovrat këtë vit marrin një vëmendje të veçantë.
Rreth 2,000 pjesëtarë të personelit do të përfshihen në stërvitjet e quajtura “Steadfast Noon”, të cilat do të zhvillohen gjatë dy javëve të ardhshme.
Gati 70 avionë do të angazhohen, përfshirë avionë luftarakë gjermanë të aftë të transportojnë bombat bërthamore amerikane të stacionuara në Evropë.
Manovrat pritet të zhvillohen kryesisht në hapësirën ajrore mbi Detin e Veriut.
Baza ajrore holandeze në Volkel dhe bazat ushtarake në Kleine Brogel (Belgjikë), Lakenheath (Angli) dhe Skrydstrup (Danimarkë) do të kenë role të rëndësishme në këtë stërvitje.
NATO njofton se Forcat e Armatosura Gjermane do të ofrojnë tre avionë Tornado, të aftë për të përdorur bomba bërthamore amerikane, si dhe katër Eurofighter për pjesëmarrje në stërvitje.
Aleanca theksoi se këto janë stërvitje rutinë dhe nuk janë përgjigje ndaj shkeljeve të fundit të hapësirave ajrore apo provokimeve të tjera nga Rusia.
Megjithatë, manovrat duken se synojnë të përcjellin një mesazh të qartë për Moskën: nëse do të jetë e nevojshme, NATO është e përgatitur të mbrojë veten edhe me armë bërthamore.
Vendndodhja e saktë e armëve bërthamore amerikane në Evropë nuk dihet me siguri, por ka raportime për prani të tyre në veri të Italisë, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani.