Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kuvendin e Malit të Zi, duke paralajmëruar për “tregti politike” dhe dobësim të institucioneve.
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë në shërbim të partive politike, por të qytetarëve dhe rendit kushtetues. Në Kuvend u zhvillua debat për zgjedhjen e tre kandidatëve: Jovan Jovanoviq, Mirjana Radoviq dhe Mirjana Vuçiniq – kjo e fundit e propozuar nga vetë presidenti.
Millatoviq tha se e ka propozuar Vuçiniq për shkak të profesionalizmit dhe përvojës, jo për arsye partiake. Gjatë seancës pati tensione, sidomos pas përjashtimit të deputetit Nikolla Zirojeviq, i cili kundërshtoi procedurat dhe akuzoi kryesuesen Zdenka Popoviq për shkelje të rregullores.
Më pas, shumica parlamentare vendosi që Popoviq nuk e kishte shkelur rregulloren.
Partia Boshnjake (PB) refuzoi të mbështesë dy kandidatët e propozuar nga komisioni, duke kërkuar përfaqësim të drejtë të pakicave dhe duke theksuar se kandidati i tyre kishte referencat më të mira, por nuk u mor parasysh.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës qeverisëse, si Vasilije Çarapiq dhe Dejan Gjuroviq, kërkuan mbështetje për dy kandidatët që kaluan në Komision, duke e konsideruar këtë hap të domosdoshëm për funksionimin e institucioneve.
Presidenti Millatoviq theksoi se zgjedhja e gjyqtarëve në bazë të pazareve politike do të thellojë krizën dhe minon besimin e qytetarëve në shtet.
Ai propozoi veting jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në Kuvend dhe Qeveri, duke ngritur shqetësime për lidhjet e mundshme të disa deputetëve me grupe të interesit dhe pasuri të pajustifikuara.
Ai theksoi se pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të pavarur, nuk mund të ketë shtet ligjor, reformë të vërtetë, as integrim në Bashkimin Evropian, dhe bëri thirrje për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.