MALI I ZI, VEND ME POTENCIAL TË MADH

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në Llushticë ka filluar Konferenca e Investimeve BE – Mali i Zi, me titull “Rritje e Zgjuar, e Ardhme e Gjelbër: Përshpejtimi i Investimeve në Mal të Zi”.

Konferencën e kanë hapur kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen theksoi se Mali i Zi ka një potencial të madh dhe se sistemi SEPA për pagesa në euro sjell përfitime për bizneset.

Ajo inkurajoi investitorët që të mos presin anëtarësimin e plotë në BE, por të investojnë tani, duke theksuar se BE e mbështet fuqishëm Malin e Zi në rrugën e tij drejt integrimit evropian.

Von der Leyen u shpreh se Mali i Zi është lider në procesin e anëtarësimit dhe se vendi duhet të vazhdojë të qëndrojë i bashkuar dhe i fokusuar për të arritur këtë qëllim.

Kryeministri Spajiq deklaroi se Mali i Zi është një shembull i progresit dhe stabilitetit në rajon dhe se BE është partneri më i madh strategjik dhe investitor kryesor në vend.

Ai tha se vendi synon të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028 dhe është i përkushtuar ndaj transformimit të gjelbër dhe digjital.

Konferenca ka për qëllim të promovojë Malin e Zi si destinacion atraktiv për investime dhe të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Ajo organizohet nga Qeveria e Malit të Zi dhe Delegacioni i BE-së, në kuadër të projektit “Accelerating Investments in Montenegro”, që synon të forcojë rolin e vendit si qendër rajonale për investime të gjelbra dhe digjitale në Ballkanin Perëndimor.

SHARE