Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Filip Ivanoviq, deklaroi se Mali i Zi po ecën me vendosmëri në procesin e integrimit evropian, me synimin që të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
“Mali i Zi po mbyll kapitujt e negociatave dhe po zbaton reformat për të arritur këtë qëllim. Po ashtu, vendi jonë është ndër të parët në përmbushjen e Agjendës së Reformave, së fundmi i është bashkuar sistemit të pagesave SEPA, dhe nga fillimi i vitit të ardhshëm qytetarët nuk do të paguajnë më tarifa roamingu në vendet e BE-së. Këto janë vetëm disa nga përfitimet e prekshme që do t’i ndjejnë qytetarët dhe ekonomia”, theksoi Ivanoviq.
Ai shtoi se, me një hov të fuqishëm investimesh, projekte të reja dhe mbështetje të qartë nga institucionet e Bashkimit Evropian, të konfirmuara edhe përmes deklaratave të Presidentes së Komisionit Evropian, realizimi i vizionit për Malin e Zi si një shtet i zhvilluar për të gjithë qytetarët dhe si anëtari i ardhshëm i BE-së po bëhet gjithnjë e më i sigurt.