MJETET E PARA, PARATË PËR MALIN E ZI JANË TË MUNDSHME NË FUND TË VITIT

Në mbledhjen e kolegjit të Komisionit Evropian (KE), që do të mbahet më 16 tetor, pritet që ky institucion të miratojë zyrtarisht agjendat e reformave për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bosnja e Hercegovina është i vetmi vend në rajon që nuk do të miratojë agjendën e reformave, sepse Sarajeva dërgoi një dokument të paplotë në Bruksel në shtator që nuk përmbush kriteret e KE-së.

Më 11 tetor, Komiteti për Ndihmën e Para-Aderimit (IPA), në të cilin marrin pjesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), dha “dritën jeshile” për agjendat e reformave të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian thekson se mbetet i gatshëm të miratojë agjendën e reformave të Bosnjë-Hercegovinës sapo të përfundojë dhe t’ia bashkëngjisë paketës që ka miratuar për të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Sipas përllogaritjes paraprake, Shqipëria do të mund të marrë në total 922 milionë euro, nga të cilat 64.5 milionë do të jenë në formën e “parafinancimit”.

Mali i Zi do të marrë gjithsej 383 milionë euro, nga të cilat 26.8 milionë në formë “parafinancimi”.

Bosnja e Hercegovina, kur të zhvillojë një agjendë të plotë reformash, do të ketë 1.85 miliardë euro, dhe 76 milionë si “parafinancim”.

Kosova do të ketë në dispozicion 880 milionë euro, prej të cilave 61 milionë janë në formë “parafinancimi”.

Maqedonia e Veriut do të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa parafinancimi do të jetë në vlerë prej 52.5 milionë euro.

Serbia do të ketë në dispozicion 1.58 miliardë euro dhe pagesa e parë në formë parafinancimi do të ishte në vlerë prej 111 milionë euro.

Presidenca hungareze e Bashkimit Evropian bëri të ditur se parafinancimi është i mundur gjatë mandatit të këtij vendi në krye të BE-së, i cili skadon më 31 dhjetor.

SHARE