Kreu i Alternativës Shqiptare (ASH), Nik Gjeloshaj, tha se Fronti Demokratik (FD) “e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur” duke hyrë në Qeverinë e Malit të Zi.
“Ata mund të ndjejnë çfarë të duan, të gënjejnë veten dhe votuesit e tyre, por me hyrje në Qeverinë e Malit të Zi, FD e njohu Kosovën si shtet të pavarur, siç e njohu Qeveria dhe shteti i Malit të Zi. Deklaratat që nuk nënkuptojnë asgjë de jure apo de facto dhe arsyetimet (gënjeshtra) për votuesit janë pjesë e folklorit të Frontit Demokratik dhe vendimi i shtetit të Malit të Zi për statusin e Kosovës është i pakthyeshëm”, ka thënë Gjeloshaj në një deklaratë të dërguar për media.
Nëse FD nuk e njeh Kosovën, sipas tij, “mund të largohen nga Qeveria”.
“Sepse Qeveria e Malit të Zi e njeh Kosovën e pavarur dhe duke qenë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi edhe de jure edhe de fakto, e njohin edhe pavarësinë e Kosovës! Nëse FD-ja në mënyrë deklarative mbështet diçka apo jo është absolutisht e parëndësishme, sepse ju nuk vendosni absolutisht asgjë për këto çështje dhe nuk keni asnjë ndikim”, tha Gjeloshaj.