Para ndërtesës së Këshillit Prokurorial në Prishtinë, mëngjesin e 14 shtatorit u mbajt një protestë simbolike, për të kërkuar shkarkimin e prokurorit Ruhan Salihu dhe kryeprokurorit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, lidhur me, siç u tha, dështimin për të parandaluar rastin e dhunimit të një të miture. Anita Mjeku nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se këta dy prokurorë janë përgjegjës për mosparandalimin e dhunimit të një të miture. Gjatë aksionit të sotëm në hyrjen e Këshillit Prokurorial u vendosën shirita të policisë, me emrat e dy prokurorëve dhe organizatorët thanë se shiritat simbolizojnë “skenën e krimit”. “Dhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë burra muajin e kaluar ishte ngjarje që mund të parandalohej. Kjo nuk do të ndodhte nëse prokurori i rastit, Ruhan Salihu nuk do të bënte punën e tij në qershor, kur dhunimi i të miturës nga gjashtë persona u raportuar. Ne jemi të vetëdijshëm se të paktën dy raste të dhunës seksuale, në të cilat Ruhan Salihu ka qenë prokuror, ai nuk i ka trajtuar me seriozitet ato”, tha ajo. Dorëheqjen e Munishit e ka kërkuar më 4 shtator edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu. Ajo kishte vlerësuar se duhet të merren masa kundër “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kryejnë detyrat e tyre”. Në Kosovë janë mbajtur një sërë protestash pas dhunimit të së miturës. Protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi nga organet e drejtësisë.