Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do t’i vazhdojnë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë rreth çështjes së hapjes së urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë.
Në fjalën e tij në Qeverinë e Kosovës, Kurti tha se është takuar dje me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, me të cilin ka diskutuar ndër të tjerash edhe për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Hapjen e kësaj ure edhe për automjete, kryeministri Kurti tha se e konsiderojnë “si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”.
“Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal, dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, theksoi Kurti.
Kurti tha se kanë mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës së Ibrit, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat Qeveria i ka ndarë me KFOR-in, gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm.
Tutje ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe vet Kurti si kryeministër, besojnë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet.
Gjatë ditës së djeshme u publikuan të dhënat preliminare rreth sigurisë që ka ura mbi Ibër për të kaluar automjetet e rënda dhe të cilat përmbushin standardet për qarkullim.