NDAHET NGA JETA KËNGËTARI NGA MALËSIA, LINDON CAMAJ

Këngëtari i mirënjohur nga Malësia Lindon Camaj është ndarë nga jeta mbrëmjen e së shtunës.

Pas një përballje të vështirë, një sëmundje i mori jetën këngëtarit Camaj.

Ai njihet si një nga këngëtarët më të mirë të veriut të Shqipërisë, ndërsa publikoi këngë që i rezistuan viteve dhe ndryshimeve që pësoi muzika përgjatë dekadave. Camaj publikoi me dhjetëra këngë të cilat sot dëgjohen në festa të ndryshme.

Lindon Camaj i këndoi edhe një prej plagëve të shqiptarëve në përgjithësi, emigrimit. Përmes teksteve të shkruara nga vetë ai, Camaj i këndoi vuajtjeve të të rinjve në emigrim dhe dhimbjen e prindërve në vendlindje.

Lindon Camaj bashkëpunoi edhe me aktorin e mirënjohur Çun Lajçi për të sjellë edhe në vitin 2019 një nga këngët e tij të fundit, sërish dedikuar të rinjve emigrantë në vende të tjera.

Një lidhje të veçantë, këngëtari nga Malësia pati edhe me qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në dhjetëra aktivitete kulturore.

SHARE