KOSOVA I BASHKOHET INICIATIVËS NDËRKOMBËTARE “PARTNERITETI PËR QEVERISJE TË HAPUR”

Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare, bëri të ditur kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka shkruar në rrjetin social X (ish Twitter) se është i kënaqur të njoftojë se Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, “një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare dhe 104 qeveri lokale dhe inkurajon transparencën, llogaridhënien dhe qasjet inovative për angazhimin publik”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi u shpreh i lumtur duke ndarë lajmin për anëtarësim në “Open Government Partnership”.

“Ne, përmes kësaj organizate i bashkohemi kombeve të botës demokratike, duke u zotuar mbi parimet e përbashkëta për qeverisje të hapur, të përgjegjshme dhe inovative duke u angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”, theksoi Krasniqi.

Partneriteti për qeverisje të hapur është një nismë vullnetare ndërkombëtare, e nisur në vitin 2011, e cila promovon bashkëpunimin shumëpalësh, mbështet dhe ndihmon zhvillimin e hapjes, transparencës dhe përgjegjësisë së administratës përmes bashkëpunimit të hapur të përfaqësuesve të administratës shtetërore.

SHARE