TRE DITË PA TREGTI PËR SHKAK TË FESTËS SHTETËRORE, DEBATI PËR PUNË TË DIELAVE VAZHDON

Foto: Ilustrim

Për shkak të festës shtetërore dhe së dielës ditë pushimi, dyqanet në Mal të Zi do të jenë të mbyllura për tre ditë rresht.

Sipas një analize të Unionit të Punëdhënësve, gjatë gjithë vitit janë gjithsej 68 ditë pushimi.

Pas gjashtë vitesh, Gjykata Kushtetuese ka pranuar iniciativën e Unionit të Punëdhënësve për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ndalimit të punës të dielave. Procedura mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, pasi pritet që Qeveria të vendosë nëse do të kërkojë pezullim të procedurës apo të ndryshojë vetë dispozitat ligjore.

Sekretarja e përgjithshme e Unionit të Punëdhënësve, Suzana Radulloviq, tha për Radion e Malit të Zi se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut me partnerët socialë.

Ajo theksoi se, nëse nuk arrihet marrëveshje, Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendimin për heqjen e ndalimit.

Më shumë se dy vite më parë, partnerët socialë ranë dakord që gjatë sezonit dimëror dhe veror të lejohet puna të dielave, me kusht që të punohet vetëm një ndërrim, të hapet vetëm një njësi tregtare për komunë dhe punëtorët të paguhen me 80% më shumë. Tani po shqyrtohet mundësia që të gjithë të punojnë të dielave, por të mbetet bonusi financiar.

Radulloviq kritikoi qëndrimin e Parlamentit, duke e quajtur të pazakontë refuzimin e mundshëm të marrëveshjeve të arritura në Këshillin Social.

Ajo përmendi shembullin e Sllovenisë, ku marrëveshjet e tilla pranohen pa kundërshtime parlamentare.  

Unioni i Punëdhënësve pret që së shpejti të hapet dialog me kryetarin e Parlamentit dhe të gjitha klubet parlamentare për këtë çështje, për të cilën tashmë është arritur një konsensus në Këshillin Social.  

SHARE