Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar se aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje do të vijojë në të gjithë territorin e Shqipërisë, si pjesë e një faze të re të “Rilindjes Urbane 2.0”.
Në një takim me deputetë dhe përfaqësues të bashkive, Rama tha se në çdo lagje të Tiranës ka zaptues të hapësirave publike dhe theksoi nevojën për plane konkrete veprimi në çdo zonë të vendit.
Kryeministri nënvizoi se vendi ka marrë përsipër përmbylljen e procesit të legalizimeve deri në vitin 2028, dhe se ndërtimet pa leje në hapësira publike, në zona të mbrojtura dhe në infrastrukturë kritike do të shemben pa përjashtim.
Duke iu referuar zhvillimeve në Theth, Rama tha se një pjesë e ndërtimeve janë kryer nga persona që nuk janë banorë vendas dhe paralajmëroi vijimin e aksionit pas sezonit turistik, ndërsa garantoi mbështetje për banorët që ndjekin procedurat ligjore.
Ai kërkoi rritje të presionit në zonat bregdetare për të ndaluar ndërtimet pa leje, ndërsa shtoi se deputetët duhet të jenë të lidhur me komunitetet për të adresuar problematikat në kohë reale.
Paralelisht, po punohet edhe për një sistem të ri furnizimi me naftë në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë.