GORÇEVIQ: PRES QË KUVENDI TË MIRATOJË LIGJET KYÇE TË REFORMËS DERI NË FUND TË KORRIKUT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka shprehur pritshmërinë që Kuvendi të miratojë deri në fund të korrikut disa ligje të rëndësishme që lidhen me reformën zgjedhore, përfshirë dhe organizimin e zgjedhjeve në një ditë të vetme.

Pas mbylljes së kapitullit për prokurimet publike, Gorçeviq deklaroi se deri në fund të vitit Mali i Zi mund të mbyllë edhe pesë kapituj të tjerë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket dinamikës së rënë dakord me Komisionin Evropian, besojmë se gjithçka po ecën sipas planit dhe programit. Deri në fund të këtij viti, presim të mbyllen disa kapituj si liria e lëvizjes së kapitalit, bujqësia, peshkimi, shërbimet financiare, dhe do të punojmë gjithashtu për mbylljen e një sërë kapitujsh të tjerë që duam t’i mbyllim në mënyrë të brendshme,” tha Gorçeviq.

Ajo shtoi se pret që këto zhvillime të kurorëzohen në konferencën ndërqeveritare që pritet të mbahet në vitin 2026.

SHARE