DUKAJ: KUOTA LIGJORE PREJ 40% PËR GRATË NË LISTAT ZGJEDHORE DHE BARAZI GJINORE NË PUSHTETIN LOKAL

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, njoftoi përmes rrjetit social X se Ministria që ai drejton ka propozuar që Kuvendi i Malit të Zi të miratojë një kuotë ligjore që garanton të paktën 40 për qind gra në listat zgjedhore në nivel lokal, si dhe një rregull që parashikon që kryetari i komunës dhe zëvendësi i tij të jenë të gjinisë së ndryshme.

Dukaj theksoi se kjo është pjesë e një reforme gjithëpërfshirëse të legjislacionit zgjedhor në nivel lokal, e cila përfshin edhe:

  • organizimin e zgjedhjeve në një ditë të vetme,
  • zgjedhjen direkte të kryetarit të komunës dhe zëvendësit të tij,
  • lista gjysmë të hapura,
  • dhe reformë të komisioneve zgjedhore komunale.

Sipas tij, këto propozime po marrin mbështetje gjithnjë më të gjerë, veçanërisht nga partnerët e Bashkimit Evropian, të cilët i konsiderojnë këto masa si thelbësore për forcimin e demokracisë dhe përparimin e mëtejshëm të Malit të Zi në rrugën evropiane.

“Reformat që ne propozojmë janë thelbësore, jo simbolike apo deklarative. Malit të Zi i nevojitet një sistem zgjedhor që afirmon barazinë gjinore dhe forcon institucionet demokratike,” theksoi Dukaj.

Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mbështesin këto zgjidhje reformuese, të cilat, sipas tij, mbrojnë interesin publik përtej interesave partiake dhe ofrojnë stabilitet afatgjatë.

SHARE