Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero Hernandez theksoi se BE-ja po punon në përgatitjen e një raporti vjetor progresi për vendet kandidate dhe kandidatët e mundshëm për anëtarësim në Bashkim.
“Puna për raportet e reja (të Komisionit Evropian) është duke vazhduar, ne presim t’i publikojmë në tetor dhe në bazë të kësaj, vendet anëtare do të vazhdojnë diskutimin për hapat e ardhshëm”, tha Pisonero.
Në Paketën e Zgjerimit, KE jep një vlerësim të detajuar të progresit të vendeve drejt BE-së, me fokus të veçantë në zbatimin e reformave kyçe si dhe udhëzime të qarta për prioritetet e ardhshme të reformës.
Paketa e fundit e Zgjerimit u shpall më 12 tetor 2022 dhe përfshinte gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ndërsa nga ky vit Komisioni do të vlerësojë edhe progresin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Të rikujtojmë se presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dje në një intervistë për Televizionin e Malit të Zi tha se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të bisedojë me deputetë evropianë.
Më pas, siç thotë ai, do të kërkojë që Komisioni Evropian të shtyjë publikimin e raportit të progresit për t’i dhënë më shumë kohë Qeverisë dhe Parlamentit për të arritur rezultate.