”PLASIN” INFEKTIMET NË EUROPË E SHBA, ALARMI: PËRSE VARIANTI BA.5 ËSHTË I RREZIKSHËM

Varianti i fundit i Omicronit, BA.5 konsiderohet shkaku i rritjes së infektimeve në Europë e SHBA. Në pjesën më të madhe të pandemisë, i vetmi lehtësim ishte se në rastin e prekjes nga Covid 19, për një periudhë kohe nuk do të infektoheshe më. Por gjithmonë e më shumë tani, po shtohen rastet që tregojnë se riinfektimi mund të ndodhë disa herë e shpejt madje, dhe kjo për shkak të nënvariantit që po kthehet ngadalë në shtamë dominues. “Virusi po qarkullon lirisht dhe vendet nuk po e menaxhojnë në mënyrë efikase barrën e sëmundjes në kapacitetet e tyre sa i takon hospitalizimit të rasteve akute dhe numrit të madh të personave me probleme të lëna nga sëmundja, që njihet ndryshe si Covidi i gjatë. BA.5 qëndron pas 52% të rasteve të regjistruara në fund të qershorit”, tha Tedros Ghebreyesus, shef i OBSH. Në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se BA5 është duke shkaktuar rreth 65% të infektimeve. Ai është variant simotër i llojit Omicron, që ka qenë mbizotërues në mbarë botën qe nga fundi i vitit 2021 dhe ka shkaktuar rritje të shkallës së infeksionit në pjesë të Europës, Australisë dhe Afrikës së Jugut, ku edhe është gjetur për herë të parë. Të dhënat e OBSH-së tregojnë se numri i rasteve me koronavirus në botë, është në rritje për katër javë rresht.Ashtu si varianti i tij simotër, BA.4, edhe BA.5 arrin të shmangë mbrojtjen imune, të siguruar ose nga vaksinimi, ose nga infeksioni i mëparshëm. Për këtë arsye, “BA.5 ka avantazh në rritje ndaj nënvarianteve të tjera të Omicronit që janë duke qarkulluar. Për shumë njerëz, kjo do të thotë riinfektim, në shumë raste edhe pas një kohe të shkurtër. Numri në rritje i rasteve ka shkaktuar më shumë shtrime në spital në disa vende, por numri i vdekjeve nuk është rritur në mënyrë dramatike.  Shkencëtarët tashmë po tërheqin vëmendjen edhe për variantin BA.2.75 – i identifikuar për herë të parë në Indi – i cili ka një numër të madh mutacionesh dhe po përhapet me shpejtësi.

SHARE