KOSOVË, MIRATOHET NË PARIM BYROJA PËR KONFISKIMIN E PASURISË SË PAJUSTIFIKUESHME

Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e pushtetit, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës. Ndër deputetët që ka abstenuar është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Me këtë projektligj parashihet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë. Kryeministri Albin Kurti tha se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike. “Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, duke shtuar se byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë.

SHARE