Një gatim i veçantë që përgatitet shumë shpejt dhe me pak përbërës por shija e tyre është e mrekullueshme.
Përgatiten krejt lehtë dhe në një kohë të shkurtër. Mund të shërbejnë mjaft mirë si meze në tryezën e ngrënies, për të shoqëruar gatime të tjera por edhe si pjatë kryesore me garniturë në vaktet e drekës apo darkës.
Receta e përgatitjes së qofteve me miell misri është përgatitur ndër vite nga amvisat shqiptare, të cilat mundoheshin që edhe përbërësit më të thjeshtë t’i shndërronin në gatime të shijshme dhe fantastike.
AgroWeb.org përcjell më poshtë recetën unike të përgatitjes së qofteve me miell misri dhe djathtë në shtëpi.
Përgatitja e Qofteve me Miell Misri dhe Djathë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 2 gota ujë me miell misri
- 3-4 lugë gjelle me vaj ulliri për brumin
- Gjysmë luge kafeje me sodë
- 3 kokrra vezë
- 5-6 lugë djathë të grirë (të bardhë ose kaçkavall)
- Piper
- Nenexhik
- Kripë
- 3-4 gota ujë
Përgatitja
Në një tenxhere me ujë të valuar, kripë dhe vaj ulliri hidhet mielli i misrit i situr dhe i përzier me pak sodë.
Përzihet derisa të krijohet një masë e trashë.
Më pas vendoset të piqet sipër zjarrit, sa të shkëputet nga anët e enës.
Kur ftohet, shtohen vezët, djathi i thërrmuar, majdanozi i grirë, kripa, piperi dhe nenxhiku.
Masa punohet me duar derisa të bëhet e njëtrajtshme.
Më pas ndahet në qofte, të cilave u jepet një formë e rrumbullakët.
Qoftet lyhen me miell gruri nga të gjitha anët dhe skuqen.
Shërbehen të ngrohta.
Kombinimi i qofteve me miell misri
Qoftet me miell misri mund të shoqërohen në mënyrë të shkëlqyer me salca të ndryshme.
Mund të përgatisni salcë me domate, qepë dhe hudhra apo edhe salcë kosi me hudhra dhe kastraveca.
Gjithashtu ato kombinohen në mënyrë speciale me supa të ndryshme të lehta por edhe gatime të tjera të kuzhinës shqiptare.
Mund t’i shoqëroni gjithashtu me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, patate të furrës por edhe të fërguara gjithashtu.