OSMANI NË PE ZOTOHET PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË SERBËVE QË JETOJNË NË KOSOVË

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje serbëve që jetojnë në Kosovë që t’i shfrytëzojnë të drejtat që i parasheh Kushtetuta e vendit. “Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”, ka thënë Osmani, në një seancë plenare para deputetëve të Parlamentit Evropian të mërkurën.

Sipas saj, integrimet euro-atlantike janë synimet e vetme për Kosovën. “Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”.

Përgjatë seancës, Osmani e ka theksuar se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”.

Duke e përmendur një delegacion të Preshevës, që ka qenë i pranishëm në seancë, presidentja Osmani ka thënë se Kosova “është me ju, ju nuk jeni vetëm, teksa përballeni me shkelje të të drejtave të njeriut”.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur Ukrainën.

Ajo ka rikujtuar se Kosova ka qenë një prej vendeve të para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës.

Presidentja Osmani ka përmendur se Kosova i ka trajnuar ukrainasit për të punuar në çminimin e territoreve, më pas për ofrimin e mbështetjes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe për mbështetjen e ofruar për gazetarët ukrainas.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë”, është shprehur ndër tjerash Osmani. Osmani ka thënë se mënyra më e mirë për t’i tejkaluar sfidat është përmes partneritetit, dhe se mosanëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, e rrezikon edhe vetë bllokun nga ndikimet e dëmshme.

“Kosova nuk është larg, është pjesë integrale e Evropës [në aspektin territorial]”, ka theksuar ajo.

SHARE