SULMET IZRAELITE NË GAZË VRANË 60 NJERËZ, PËRFSHIRË 22 FËMIJË

Foto: AP

Të paktën 22 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës mëngjesin e së mërkurës si pasojë e sulmeve të pareshtura ajrore të Izraelin në gjithë Gazën, thanë zyrtarët shëndetësorë dhe spitalet lokale.

Në këto sulme u vranë të paktën 60 njerëz në përgjithësi, raportoi Ministria e Shëndetësisë në Gazë, përfshirë gati 50 njerëz rreth Xhabalias në veri të Gazës dhe 10 të tjerë në qytetin jugor Han Junis.

Sulmet ndodhën një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – e liroi një peng izraelito-amerikan në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, dhe derisa presidenti Donald Trump po kryente një vizitë në Arabinë Saudite.

Të martën, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “nuk ka shanse” që Izraeli ta ndalë luftën në Gazë, duke shuar shpresat për arritjen e ndonjë armëpushimi.

Ushtria izraelite nuk ka dashur të flasë për sulmet e së mërkurës, por kishte paralajmëruar banorët e Xhabalias që të largoheshin të martën vonë në mbrëmje, për shkak të infrastrukturës militante në zonë, përfshirë raketahedhësve.

Në komunikatën e publikuara nga zyra e Netanyahut të martën, kryeministri tha se forcat izraelite janë vetëm disa ditë larg përshkallëzimit të premtuar të forcës dhe do të futën në Gazë “me forcë të madhe për ta përfunduar misionin… Kjo do të thotë shkatërrimin e Hamasit”.

Izraeli e ka ndaluar plotësisht importin në Gazë, përfshirë importimin e ushqimit dhe ilaçeve, për më shumë se 10 javë.

Organizatat humanitare thonë se furnizimet me ushqime janë drejt përfundimit dhe uria është përhapur gjerësisht.

Izraeli thotë se po e bën këtë në mënyrë që të ushtrojë trysni ndaj Hamasit për t’i liruar pengjet.

Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 52.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

SHARE