Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Kosta, ranë dakord gjatë një takimi në Villa Goricë se Mali i Zi duhet të shfrytëzojë momentin aktual që gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Spajiq theksoi se reformat në rrugën evropiane janë në fokusin e punës së institucioneve dhe se qëllimi që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028 është real dhe i arritshëm.
Sipas tij, Qeveria dhe shumica parlamentare duan që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.
“Po punojmë shumë intensivisht për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. Është shumë e rëndësishme për qytetarët e Malit të Zi që të tregohet qartë vullneti i të gjithë aktorëve politikë relevantë për të realizuar premtimet për angazhim të plotë ndaj integrimeve evropiane. Ministritë tona po realizojnë në mënyrë efikase pjesën teknike të detyrimeve, dhe jam i bindur se do të arrijmë edhe konsensusin politik të nevojshëm. Paralelisht me këtë, po forcojmë aktivisht lidhjet diplomatike, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme,” tha kryeministri Spajiq.
Ai shtoi se Mali i Zi pret mbështetje nga Bashkimi Evropian, jo vetëm në procesin e integrimeve, por edhe në fusha të tjera, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e Planit të Rritjes si një instrument për të treguar përfitimet ekonomike që anëtarësimi në BE sjell.
Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Kosta, vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën e tij evropiane, duke theksuar se ky është rezultat i ambicieve, punës përkushtuar dhe orientimit drejt qëllimit për t’u bërë anëtare e BE-së.
Kosta tha se Mali i Zi nuk po arrin rezultate vetëm në lidhje me reformat, por po e harmonizon politikën e tij plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, veçanërisht duke mbështetur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Tani është thelbësore që të mbani këtë qasje – qëndroni të përqendruar në qëllim dhe mos e ngadalësoni këtë ritëm të impresionueshëm,” tha Kosta.
Gjatë bisedës, u theksua se ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore duhet të mbetet një çështje prioritare, në përputhje me respektimin e vlerave themelore të Bashkimit Evropian.
U theksua gjithashtu harmonizimi i plotë i Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, që është një konfirmim i statusit të tij si një partner i besueshëm dhe të parashikueshëm.