Foto: AA
Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, sipas të dhënave paraprake, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Aktualisht janë numëruar mbi 99 për qind të votave për partitë politike për qendrat e votimit brenda vendit, ndërkohë që PS-ja kryeson me 52,15 për qind të votave, duke fituar mandatin e katërt qeverisës nën udhëheqjen e Ramës.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 5.205 qendra të numëruara, nga 5.225 në total, PS-ja është në avantazh, duke siguruar paraprakisht 83 mandate.
Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, “Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore-PD-ASHM”, renditet i dyti me 34,26 për qind, ose paraprakisht 50 mandate.
Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,38 për qind për qind të votave ose 3 mandate.
Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të tjera të reja, si Partia Mundësia 2, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” 1 dhe Partia Lëvizja Bashkë 1 mandat.
Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas të dhënave nga 3.037 qendra votimi të përpunuara, ishte 42,21 për qind.
Ndërkohë, procesi i numërimit të votave nga jashtë vazhdon dhe pritet të përfundojë në orët në vijim.
Në Shqipëri më 11 maj u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka marrë mesazhe urimi nga liderë të vendeve të ndryshme për fitoren në zgjedhje.
Mesazhe urimi Rama ka marrë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe liderë të tjerë.