Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, njoftoi në një konferencë për media se vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në Mal të Zi është një konfirmim i faktit se perspektiva evropiane e Malit të Zi është e lartë në agjendën e Bashkimit Evropian (BE).
Millatoviq shtoi se Mali i Zi është krenar për statusin e tij si lider në procesin e integrimit evropian dhe ka për qëllim të mbetet i përkushtuar për të arritur qëllimin e tij – të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028.
Millatoviq e cilësoi këtë një qëllim ambicioz, por të realizueshëm dhe një demonstrim të forcës së politikës së zgjerimit të BE-së.
“Politika e zgjerimit është një dëshmi e forcës së Bashkimit Evropian. Ne mund të jemi një shembull për të gjitha shtetet kandidate dhe mund të tregojmë se procesi i zgjerimit është ende i gjallë. Deri në fund të vitit, shpresojmë të bëjmë përparim më të madh në rrugën tonë evropiane,” tha Millatoviq.
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta, në fjalën e tij, theksoi se Mali i Zi është një nga shembujt më të mirë i një zhvillimi pozitiv të Bashkimit Evropian, kur bëhet fjalë për zgjerimin.
Ai theksoi se, vetëm dje, Parlamenti Evropian ka njohur përparimin e madh që ka arritur Mali i Zi.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që kjo qasje të ruhet dhe fokusi të mbetet tek qëllimi.
“Një slogan i mirë është të bëhesh anëtar i BE-së deri në 2028, por do të ishte edhe më mirë nëse arrihet më shpejt. Konsensusi politik dhe stabiliteti institucional janë thelbësorë për anëtarësimin,” tha Kosta.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira me shtetet fqinje, veçanërisht ata që janë tashmë pjesë e BE-së.
Në pyetjen lidhur me shqetësimet e deputetëve të Parlamentit Evropian, veçanërisht deputetes Marta Kos, për marrëveshjet e nënshkruara me Emiratet e Bashkuara Arabe, Kosta tha se Komisioni Evropian ka vlerësuar këto marrëveshje dhe ka dërguar një letër ku ka sqaruar pozitat e tij.
“Respektimi i legjislacionit të BE-së është kushti kryesor për anëtarësim. Komisioni Evropian ka bërë vlerësimin dhe ka dërguar një letër që saktëson pozitat e tij. Pozita është se këto marrëveshje duhet të respektojnë plotësisht legjislacionin evropian, veçanërisht në çështjet e tenderëve publikë dhe mbrojtjes së mjedisit,” tha Kosta.