Foto: Komuna e Ulqinit
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka njoftuar se nesër do të mbahet një protestë në këtë komunë për shkak të investimeve të shpallura nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe marrëveshjeve me këtë shtet.
Ai ka deklaruar se ndërtimi në Plazhin e Madh, në këtë moment dhe në mënyrën e shpallur, nuk mund të lejohet.
Siç është njoftuar, protesta do të jetë nesër në orën 11:00, në Kruçe, në hyrje të Ulqinit, dhe në Sukobin, afër kalimit kufitar.
Nimanbegu ka thënë se ata kanë apeluar te Qeveria që të dëgjojë zërin e tyre, por rezultoi se ishte e kotë.
Ai shtoi se kanë dërguar letra edhe ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE-së.
“Na shqetëson edhe fakti që nuk janë respektuar rekomandimet e dhëna nga Komiteti për Çështje të Jashtme i Parlamentit Evropian. Dua të kujtoj se sot në Malin e Zi, presidenti i BE-së, Antonio Kosta, theksoi rëndësinë e zbatimit të standarteve evropiane në lidhje me këto marrëveshje. Për të gjitha këto kemi informuar ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike. Me fakte dhe argumente kemi folur në trupat legjislativë, por kemi protestuar edhe para Parlamentit. Megjithatë, është e qartë se Qeveria është e vendosur të arrihet marrëveshja e shpallur, gjë që e konfirmon edhe vizita e fundit e Mohamed Alabar në Podgoricë. Edhe atij ia kemi shprehur qartë qëndrimet tona përmes një letre të hapur dhe presim që ai të marrë parasysh vërejtjet e arsyeshme të qytetarëve të Ulqinit. Ne jemi të angazhuar ta çojmë këtë çështje deri në fund. Për këtë arsye, nesër në orën 11:00, të gjithë subjektet që marrin pjesë në parlamentin e Ulqinit janë dakorduar të organizojnë një protestë njëorëshe në kalimin kufitar Sukobin dhe në Kruçe, në rrugën për në Bar, për të treguar se Ulqini dhe qytetarët e tij janë kundër marrëveshjes dhe investimeve të shpallura në këtë formë,” njoftoi Nimanbegu.