Tanket izraelite u futën më thellë në Rafah lindor të martën, duke arritur në disa lagje të banuara të qytetit kufitar jugor ku më shumë se një milion njerëz ishin strehuar pasi ishin zhvendosur në shtatë muaj luftë.
Aleatët ndërkombëtarë të Izraelit dhe grupet e ndihmave kanë kërkuar vazhdimisht të mos nisë sulmi tokësor në Rafahun e mbushur me refugjatë, duke paralajmëruar për një katastrofë të mundshme humanitare.
Kryeministri i Katarit Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani tha se operacionet e Izraelit në Rafah kanë frenuar përpjekjet për të arritur një armëpushim në bisedimet që janë duke u ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti, megjithëse negociatat do të vazhdojnë.
Izraeli është zotuar të vazhdojë me planin e sulmit në Rafah edhe pa mbështetjen e aleatëve, duke thënë se operacioni i tij është i nevojshëm për të çrrënjosur katër batalionet e mbetura të Hamasit në qytet.
Krahu i armatosur i Hamasit tha se kishte shkatërruar një transportues trupash izraelite me një raketë Al-Yassin 105 në lagjen lindore Al-Salam, duke vrarë disa trupa e duke plagosur të tjerë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nuk kanë bërë komente për këtë raport por thanë se kishin eliminuar “disa celula të armatosura terroriste” në luftime në afërsi të pikës kufitare të Rafahut, që lidh gazën me egjiptin.
Izraeli lëshoi urdhra evakuimi për njerëzit që të largoheshin nga pjesët e Rafahut lindor një javë më parë, me një raund të dytë urdhrash që shtrihej edhe në zona të tjera të shtunën.
UNRËA, agjencia kryesore e ndihmës e Kombeve të Bashkuara në Gaza, vlerëson se rreth 450,000 njerëz janë larguar nga Rafahu që nga 6 maji.
“Njerëzit përballen me lodhje të vazhdueshme, uri dhe frikë. Askund nuk janë të sigurt,” shkroi agjencia në platformën X. Lufta e ka shtyrë pjesën më të madhe të popullsisë së Gazës në prag të urisë, thotë OKB, dhe ka shkatërruar objektet e saj mjekësore, ku edhe ato pak spitale të mbetura nuk kanë karburant për gjeneratorët e energjisë dhe furnizime të tjera thelbësore.”