OSMANI: SERBIA PO NDIHMON RUSINË TË HAPË NJË FRONT TË RI KUNDËR PERËNDIMIT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po e ndihmon Rusinë, në mënyrë që, sipas saj, të shpërqendrohet vëmendja nga lufta që Moska nisi më 2022 kundër Ukrainës, dhe të hapë “një front të ri kundër Perëndimit”.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.

Ajo tha se Kosova e sheh të ardhmen e saj në familjen euroatlantike dhe nuk do të ndalet së punuari në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Por, sipas Osmanit, Serbia fqinje po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, që të shtyjë përpara agjendat e tij në Ballkanin Perëndimor.

“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që është dëshmuar të jetë një dorë e zgjatur, shumë besnike e Rusisë, që përpiqet të luajë me lojërat e presidentit rus, Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”, tha Osmani.

“Sepse ky është një efekt shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte largimin e vëmendjes nga Ukraina. Pra, puna jonë dhe e aleatëve tanë, sepse siç e dini kemi një prani të NATO-s në Kosovë, ka në fokus garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të kosovës”, shtoi ajo.

Serbia ka raporte miqësore me Rusinë dhe është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që u ka rezistuar thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të vendosë sanksione kundër Moskës për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

Megjithatë, Serbia ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Zyrtarët e lartë në Kosovë vazhdimisht kanë thënë se Serbia mbështet agjenda destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë ka përmendur Kosovën, kur ka justifikuar nisjen e pushtimit të Ukrainës fqinje. Por, një krahasim të tillë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si injorancë.

SHARE