Foto: AA
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka caktuar për 15 prill një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit , në të cilën do të zgjidhen anëtarët e Qeverisë së re serbe.
Ky njoftim u publikua në faqen zyrtare të Kuvendit të Serbisë.
Sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS), kandidati për kryeministër të Serbisë, Gjuro Macut, më 14 prill i ka dorëzuar Kuvendit propozimin për përbërjen e Qeverisë së Serbisë, së bashku me biografitë e anëtarëve të propozuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 prill ia ka besuar mandatin për formimin e Qeverisë së re endokrinologut dhe profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut. Vuçiq më parë ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e Qeverisë së re, në të cilat nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare.
Opozita ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore, gjë që është refuzuar nga koalicioni qeverisës.
Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.
Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.
Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.