Foto: AP
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur prej disa ditësh përgatitjen e materialeve zgjedhore për votuesit në diasporë, të cilët për herë të parë do të mund të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt vendlindjes.
Kësisoj, këtë të hënë, KQZ ka nisur dërgimin e materialeve të votimit, që përfshijnë zarfat dhe fletën e votimit, për emigrantët e regjistruar që janë pjesë e qarqeve Berat e Dibër.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, emigrantët janë të rekomanduar që brenda 3-4 ditësh nga mbërritja e fletës së votimit, ta plotësojnë atë dhe ta ridërgojnë me postë, duke u lidhur me korrierin e tyre, i cili do të paraqitet për ta marrë atë sërish në adresën e tyre, ose do të mund ta dërgojnë personalisht në postën më të afërt.
Nga ana tjetër, për efekt të përshpejtimit të procesit, mësohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë me postë çdo ditë në mëngjes, materialet që janë të gatshme për t’i dërguar diasporës, aq sa janë përgatitur nga administrata që po merret me përgatitjen e këtyre zarfave.
Sipas kreut të këtij institucioni, Ilirjan Celibashi, brenda datës 17-18 prill, pritet që të ketë përfunduar dërgimi i fletëve të votimit për emigrantët, të cilët më pas do të duhet brenda 3-4 ditësh t’i plotësojnë dhe ridërgojnë në Shqipëri.
KQZ do të konsiderojë të gjithë zarfat që do të hyjnë në Shqipëri deri në orën 19:00 të 11 majit.