Spitali i Përgjithshëm i Beranës, i cili me vendim të Qeverisë u shndërrua në Qendër Klinike-Spitalore, sot ka vënë në funksion një tjetër aparat modern – Mamogramin Digjital, në vlerë prej afro 200 mijë eurosh, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Atë objekt shëndetësor e vizitoi ministri i Shëndetësisë Dragosllav Shqekiq, i cili theksoi se sistemi shëndetësor i Malit të Zi po përmirësohet dita ditës dhe po krijohen kushte për ofrimin e kujdesit shëndetësor sa më cilësor për pacientët dhe lehtësimin e punës së punëtorëve shëndetësorë.
Siç thuhet në njoftim, ai është shprehur i kënaqur që me blerjen e pajisjes digjitale më moderne, ai institucion shëndetësor, përveç stafit profesional që punon aty, do të justifikojë pritshmëritë e Qendrës Klinike-Spitalore.
Ministri Shqekiq tha se punëtorët shëndetësorë në Qendrën Klinike-Spitalore në Berane do të kenë mundësinë që në mënyrë shumë më efikase dhe më të shpejtë të kryejnë ekzaminimet në pajisjet e reja diagnostikuese dhe të marrin rezultate më të besueshme dhe më të sakta në një kohë shumë më të shkurtër se më parë.