BERLINI KËRKON HAPJEN E NEGOCIATAVE ME TIRANËN E SHKUPIN

I dërguari special i Gjermanisë për rajonin tonë, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është rivendosja e një besueshmërie më të madhe në procesin e zgjerimit duke hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Mendoj se gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është rivendosja e një besueshmërie më të madhe në procesin e zgjerimit duke hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe duke liberalizuar regjimin e vizave për Kosovën. Pra, hap pas hapi, këtij procesi duhet t’i rikthehet besueshmëria. Sa i përket negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Gjermania do të bëjë gjithçka që është e mundur për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë. Ne besojmë sinqerisht në të ardhmen europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian”, tha Sarrazin. Sarrazin premton se Gjermania nuk do të lejojë destabilizimin e rajonit nga Rusia. Sarrazin konfirmon se Gjermania do të zhvillojë më tej Procesin e Berlinit, me përkushtim dhe rezultate të frytshme. Sipas tij nuk do të braktiset diçka që mund të jetë dhe ka qenë e suksesshme.

SHARE