SHQIPËRIA SHËNON DITËN E VERËS

Foto: Olsi Shehu/ AA

Në Shqipëri sot shënohet Dita e Verës, ku në qytetet e vendit janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.

Festimet dhe aktivitetet kryesore janë organizuar në Tiranë dhe Elbasan, me pjesëmarrjen e qytetarëve, artistëve dhe përfaqësueseve të institucioneve.

Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera në kryeqytet janë organizuar koncerte, panaire, ekspozita dhe aktivitete zbavitëse për fëmijët.

Pjesë e aktiviteteve në Tiranë ishte edhe ekspozita e mjeteve historike “Retro”, ku qytetarët janë njohur nga afër me automjetet e vjetra historike.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet është organizuar panairi i produkteve artizanale shqiptare, duke mbledhur së bashku dhjetëra artizanë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Aktivitete të ndryshme janë organizuar edhe në qytetin e Elbasanit dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që ëmbëlsira tradicionale e kësaj festë është ballokumja.

Me rastin e Ditës së Verës kanë përcjellë mesazhet e tyre zyrtarët e lartë të Shqipërisë, si presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë.

Dita e Verës, një festë zyrtare në Shqipëri, është festë që ka origjinën nga qyteti i Elbasanit dhe simbolizon fundin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

SHARE