Parlamenti Evropian po përgatitet të padisë Komisionin Europian për vendimin e tij të diskutueshëm për të zhbllokuar miliarda fonde për Hungarinë në fund të vitit të kaluar.
Komisioni për çështjet ligjore të Parlamentit votoi të hënën pothuajse njëzëri, me 16 anëtarë pro, një kundër dhe asnjë abstenim, për ta çuar Komisionin në gjykatë për shkeljen e detyrimit të tij për të mbrojtur paratë e taksapaguesve europianë nga keqpërdorimi.
Dhjetorin e kaluar, Komisioni zhbllokoi 10.2 miliardë euro nga fondet e ngrira të rimëkëmbjes të BE-së të destinuara për Hungarinë, të cilat ishin bllokuar për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Vendimi erdhi një ditë përpara një samiti të BE-së, ku liderët do të diskutonin për ndihmën e re për Ukrainën dhe hapjen e negociatave të pranimit për Kievin, lëvizje që kryeministri hungarez Viktor Orban po kërcënon t’i bllokojë me veto.
Vendimi i Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen për të zhbllokuar fondet u prit me reagime nga eurodeputetët, të cilët e akuzuan atë se iu nënshtrua shantazhit të Orbanit.
Komisioni ka reaguar përmes një zëdhënësi, duke e konsideruar vendimin për zhbllokimin e fondeve si krejtësisht të ligjshëm dhe në përputhje me direktivat e BE-së.