MADDOX: ZGJEDHJET E REJA JANË NJË MUNDËSI QË MALI I ZI TË KTHEHET ME VENDOSMËRI NË THEMELET E TIJ KUSHTETUESE

Mbajtja e zgjedhjeve të reja në Mal të Zi do të ishte hapi më i arsyeshëm dhe një mundësi për një rifillim politik dhe kthimin e vendit në themelet e tij kushtetuese, tha ambasadorja britanike në Mal të Zi, Karen Maddox.

Në një intervistë për agjencinë MINA, ajo tha se vendimi se kush duhet të formojë qeverinë e ardhshme i takon deputetëve, të cilët zgjidhen përfaqësues të popullit, ose drejtpërdrejt nga populli, përmes zgjedhjeve.

“Më shumë se gjashtë muaj më parë, ata deputetë votuan për ndryshimin e qeverisë dhe kryeministrit, por ende nuk ka marrëveshje për një qeveri të re”, tha Maddox.

Ajo shtoi se çdo qeveri e re që do të formohet tani në bazë të një ligji të kushtetutshmërisë së dyshimtë, në rastin konkret për Ligjin e ndryshuar për Presidentin, ndoshta nuk do të ishte stabile.

“Kjo më sugjeron se zgjedhjet e reja do të ishin hapi më i arsyeshëm. Do të ishte një mundësi për një rifillim politik dhe një mundësi për ta rikthyer me vendosmëri këtë vend në themelet e tij kushtetuese”, tha Maddox.

SHARE