GJELOSHAJ: SOT NË SALLËN E GJYQIT U DËSHMUA PROCESI POLITIK

Video materiali, i cili u shfaq sot në kuadër të procedurës dëshmuese, ka nxjerrë në pah farsën dhe rolin e prokurorit të shtetit, ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili ndër të tjera është akuzuar para Gjykatës Themelore të Podgoricës me veprën penale të nxitjes së rezistencës.

Ai tha se e vetmja gjë që u dëshmua në sallën e gjyqit sot ishte procesi politik.

“Pavarësisht montazhit të mundshëm të mëvonshëm, nga materiali video shihet gjithë justifikimi i veprimeve të personave që ndodhen në bankën e të akuzuarve. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja kritike, nga ky këndvështrim jam edhe më krenar për veprimet e mia, për trajtimin e kulturuar dhe të edukuar dhe bashkëpunimin maksimal me policinë”, tha Gjeloshaj.  

Ai thekson se do të shmangë çdo kualifikim në kurriz të ushtruesit të detyrës, e cila, siç tha ai, me qëndrimin e saj ka kaluar edhe sot kufirin e shijes së mirë dhe integritetit profesional, në disa raste.

“Do të përsëris se me bindje dhe me qëndrim politik, jam i pari mes të barabartëve në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit dhe në luftën kundër çdo lloj diskriminimi, prandaj pretendoj se kjo është një tjetër përpjekje për të sulmuar popullin shqiptar në Mal të Zi, një përpjekje perfide për të disiplinuar përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe për të poshtëruar të gjitha arritjet politike, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve në Mal të Zi në kohët e fundit”, përfundoi kryetari Gjeloshaj.

SHARE