ZELENSKY PËRSËRIT THIRRJET PËR ZONË NDALIM-FLUTURIMI

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri sërish thirrje udhëheqësve të NATO-s që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. “Nëse nuk e mbyllni qiellin tonë, është çështje kohe kur raketat ruse do të bien në territorin tuaj, në territorin e NATO-s”, tha Zelensky në një video-adresim të postuar në mediat sociale. Thirrja e tij vjen pasi raketat ruse qëlluan të dielën një bazë stërvitore ushtarake në Javoriv të Ukrainës. Lokacioni ndodhet 25 kilometra larg Polonisë – vend anëtar i NATO-s. Zyrtarët ukrainas thanë se së paku 35 njerëz u vranë dhe 134 u plagosën në sulm. SHBA-ja e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi, siç ka thënë, kjo mund të nënkuptojë që forcat e NATO-s t’i rrëzojnë aeroplanët rusë. Sipas presidentit amerikan, Joe Biden, kjo do ta përkeqësonte situatën në shkallën e një lufte të tretë botërore.

SHARE