QEVERIA E RE NUK DUHET TË JETË SHKAKU I NDARJES SË SHOQËRISË

Qeveria e re duhet të jetë faktor për qetësimin e krizës politike dhe jo shkaktar i përçarjeve të reja, tha nënkryetari i Kuvendit, Strahinja Bullajiq. Megjithatë, një qeveri që nuk do të krijohet në frymën e vullnetit elektoral të qytetarëve, nuk mund të jetë faktor për arritjen e agjendës evropiane, tha ai. Në konferencën “Kuptimi i përkatësisë dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian”, Bullajiq theksoi se Mali i Zi nuk ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve për kapitujt 23 dhe 24 si më të rëndësishmit për një kohë të gjatë. “Lufta kundër korrupsionit të lartë është një nga elementët më të rëndësishëm të hapit të përgjithshëm përpara të këtij vendi. Unë jam i mendimit se deri më 30 gusht 2020 nuk ka pasur vullnet politik dhe që nga ajo kohë pengesa të shumta”, tha ai. Për një vend që dëshiron të bëhet anëtar i plotë i BE-së, nuk mund të pranohet që Gjykata Kushtetuese të jetë në prag të kuorumit. “Dhe nëse diçka nuk ndërmerret nga tetori, nuk do të ketë kushte për funksionimin e saj,” paralajmëroi Bullajiq. Ai tha se vetëm këmbëngulja e vazhdueshme për dialog mund të sjellë rigjallërim të shoqërisë. “Sfida kryesore për deputetët dhe Kuvendin është zgjedhja e qeverisë së re. Mali i Zi është një shoqëri e ndarë me një tendencë për ndarje të mëtejshme. Kriza në Ukrainë ka dhe do të ketë implikime edhe për Malin e Zi. Të gjithë kemi përgjegjësi që qeveria e re, cilado qoftë ajo, të jetë faktor qetësues i krizës politike, jo shkaktar i përçarjeve të reja,” tha Bullajiq.

SHARE