Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeparlamentari Andrija Mandiq organizoi një tryezë të rrumbullakët në Podgoricë me temën “Iniciativa për shpalljen e klaneve kriminale si organizata terroriste”.
Ai tha se që nga vitet 1990, krimi i organizuar dhe kartelet e drogës janë përhapur si një kancer në çdo cep të shoqërisë.
Ai pret mbështetje nga partnerët e huaj në luftën kundër krimit.
Ai deklaroi se iniciativa e tij për shpalljen e organizatave kriminale si organizata terroriste mori mbështetjen e kryeministrit Millojko Spajiq dhe presidentit Jakov Millatoviq.
“Është momenti i fundit për të filluar luftën për rimëkëmbjen e vendit tonë”, ka theksuar Mandiq.
Ai thotë se sot është momenti kur duhet të themi – mjaft.
“Ne nuk duhet të lejojmë që Mali i Zi të bëhet peng i kriminelëve që kanë minuar institucionet e këtij vendi. Detyrimi ynë është të krijojmë një sistem brenda të cilit asnjë kriminel nuk do të jetë mbi ligjin. Është e vështirë të gjesh një gjyqtar në gjyqësor që ka dëshirë apo lejohet për të marrë një vendim për njerëzit e rrezikshëm për të cilët po flasim. Është e vështirë të gjesh një gjyqtar që mund të qëndrojë në anën e drejtësisë, sepse në këtë mënyrë ai do të vinte veten dhe familjen e tij në rrezik. Nuk mund të lejojmë që krimi të ketë përfaqësuesit e tij politikë, as ato klane me metoda të ndryshme, duke përfshirë rrahjet, rrëmbimet dhe vrasjet, të parandalojnë reformat në këtë vend”, theksoi Mandiq.
Për arritjen e këtij qëllimi, ai propozoi, siç thotë ai, miratimin e Ligjit të posaçëm për Luftimin e Terrorizmit, si dhe rinovimin e Strategjisë së Sigurisë së këtij vendi.