KONTROLLE RIGOROZE TESTIMI PËR PROVIMIN E MATURËS

Foto: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit / Ministarstvo prosvjete, nauke i inovacija 

Qendra e Provimeve dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit paralajmërojnë masa më rigoroze gjatë testimit të maturantëve në provimin e jashtëm të maturës, në mënyrë që të sigurohet testim i drejtë dhe transparent i njohurive të nxënësve, ka njoftuar për Portalin e RTMZ, drejtori i Qendrës së Provimeve, Millosh Triviq.

Duke rikujtuar skandalin që ndodhi në maj 2023, kur u shkel konfidencialiteti i testit të njohurive të jashtme për nxënësit e klasave të nënta fillore në matematikë, Triviq rikujton se testet u zbuluan pak para fillimit të provimit, gjë që shkaktoi një protestë publike dhe nxiti një hetim.

Për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme, Triviq thotë se janë zbatuar procedura më të rrepta për shpërndarjen dhe ruajtjen e testeve dhe vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kontrollit të nxënësve në hyrje të shkollës.

“Vitin e kaluar Qendra e Provimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ka futur kontrollin e nxënësve në hyrje të shkollës me detektorë për të parandaluar futjen e celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike në zonën ku mbahet provimit. Meqenëse rregulloret ndalojnë futjen e pajisjeve elektronike, Qendra e Provimeve dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit mbeten të përkushtuara ndaj detyrës së përbashkët për krijimin e një sistemi arsimor të shëndetshëm të bazuar në njohuri dhe etikë”, shtoi Triviq.

Ai thotë se të gjithë administratorët e testimit janë trajnuar dhe do të bëhen inspektime të befasishme.

SHARE