Foto: Reuters
BE në Shqipëri ka nisur zyrtarisht projektin e mbështetjes për integrimin në BE (EUIS), një iniciativë prej 7.2 milionë eurosh, e cila synon të ndihmojë qeverinë shqiptare në avancimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Ky projekt është në përputhje me objektivin ambicioz të Shqipërisë, të përcaktuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian, për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së.
Ky program gjithëpërfshirës do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë në përshpejtimin e integrimit në BE, që nënkupton mbështetjen e vendit për të kapur të gjitha mundësitë e disponueshme të para-anëtarësimit, si pjesëmarrja në programet dhe strukturat e BE-së. Programet strategjike të trajnimit do të zhvillohen për të forcuar aftësitë e administratës publike, jo vetëm për të çuar përpara procesin e anëtarësimit me sukses, por edhe për të siguruar që institucionet shqiptare të jenë plotësisht të përgatitura për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit në BE. Për më tepër, qeveria do të përfitojë nga ekspertiza e përkushtuar për të zbatuar Planin e Rritjes dhe Axhendën e Reformës përkatëse që ajo ka miratuar.
Me këtë rast, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato rikonfirmoi angazhimin e fortë të BE-së për integrimin e Shqipërisë.
“Perspektiva e BE-së për Shqipërinë nuk ka qenë kurrë më reale. Pas hapjes së dy grupeve të negociatave me BE-në vitin e kaluar, dhe duke qenë se vendi synon të hapë të gjitha grupet deri në fund të këtij viti, puna për reformat duhet të përshpejtohet ndjeshëm. BE-ja është e gatshme të mbështesë planet ambicioze të Shqipërisë, duke përfshirë edhe këtë projekt të dedikuar. Së bashku me shtetet tona anëtare të BE-së, ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar Shqipërinë jo vetëm në finalizimin e procesit të anëtarësimit, por edhe në përgatitjen për përgjegjësitë dhe përfitimet e anëtarësimit në BE”, shprehet Gonzato.
Ndërsa ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh “Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e saj të integrimit në BE. Që kur iu dha statusi i kandidatit për në BE në vitin 2014, Shqipëria ka punuar pa u lodhur për të harmonizuar politikat, institucionet dhe praktikat e saj me standardet e BE-së. Sot Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me synimin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027 dhe për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Ndërsa ecim përpara, ne vlerësojmë mbështetjen e BE-së në këtë moment kyç për procesin. Së bashku, ne mund të sigurojmë që Shqipëria jo vetëm të përmbushë standardet e nevojshme, por të përshpejtojë përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE”.