SHBA, HERA E PARË NË 150 VJET / REPUBLIKANËT ‘SHKARKOJNË’ SHEFIN E SIGURISË KOMBËTARE

Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët ka votuar për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, pasi çështja e imigracionit duket si një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e këtij viti, shkruan BBC.

Me një votim prej 214 pro dhe 213, Dhoma e Përfaqësuesve votoi dy nene të shkarkimit, që akuzonin Mayorkas për dështim në zbatimin e ligjeve të emigracionit në SHBA, për të cilat republikanët thonë se çoi në një fluks rekord emigrantësh përtej kufirit SHBA-Meksikë dhe dëshmi të rreme në Kongres, transmeton Telegrafi.

Kjo është hera e dytë në historinë amerikane, dhe e para në gati 150 vjet, që Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për shkarkimin e një anëtari të kabinetit të presidentit. Megjithatë, largimi i tij nuk ka gjasa sepse Senati, i cili ka shumicën e demokratëve, do të votojë kundër.

Që kur Biden u bë president në vitin 2021, një numër rekord imigrantësh kanë kaluar kufirin ilegalisht nga Meksika, kurse ish-presidenti Donald Trump e ka bërë këtë çështje një nga temat kryesore të fushatës së tij kundër Biden.

“Sekretari Mayorkas me dashje dhe këmbëngulje refuzoi të respektonte ligjet federale të imigracionit, duke shkaktuar fatkeqësinë më të keqe kufitare në historinë amerikane”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson pas votimit.

Asnjë ligjvënës demokrat nuk e mbështeti tërheqjen, ndërsa tre republikanë kundërshtuan udhëheqjen e partisë së tyre dhe votuan kundër tij.

Mayorkas tha se nuk ishte përgjegjës për situatën kufitare, duke fajësuar sistemin e prishur të emigracionit në SHBA, të cilin Kongresi nuk ka arritur ta rregullojë.

“Pa asnjë provë më të vogël apo bazë legjitime kushtetuese, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët fajësoi në mënyrë të rreme një zyrtar të përkushtuar që kaloi më shumë se 20 vjet duke zbatuar ligjet tona dhe duke i shërbyer vendit tonë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Mia Ehrenberg.

Ekspertët kushtetues dhe madje disa republikanë, thanë se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve nuk vërtetoi “krimet dhe shkeljet” që Kushtetuta e SHBA rendit si arsye për shkarkim.

Biden e vlerësoi votimin për shkarkimin e Mayorkas si “një akt të dukshëm politik të drejtuar kundër një personi që i shërben vendit me nder”.

SHARE