RAMA NË ABU DHABI: SYNOJMË T’I SHËRBEJMË EVROPËS ME ENERGJI TË GJELBËR

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu sot bindjen se deri në fund të vitit 2028 Shqipëria do të jetë plotësisht vend sovran në prodhimin e energjisë elektrike duke mos importuar më energji.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në panelin e samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillon punimet në Abu Dhabi, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Duke folur mbi investimet në fushën e energjisë, Rama u shpreh se “jemi me fat sepse kemi burime hidrike dhe jemi një vend 100% me energji të ripërtëritshme”.

“Këtu jemi te niveli më i lartë në renditje. Por energjia nga burimet ujore do të thotë se ne varemi nga natyra, ndaj na duhet t’i drejtohemi importit”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, dekadën e fundit është investuar shumë në energjinë diellore dhe të erës.

“Ne duam të krijojmë një portofol burimesh të ekuilibruara në mënyrë të tillë që ne të mos kemi më nevojë t’i drejtohemi importit dhe të jemi plotësisht sovran duke pasur 100% energji të gjelbër. Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të 2028 do të jemi plotësisht sovran nuk do të blejmë më energji nga jashtë”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e energjisë. Ai solli në vëmendje marrëveshjen tripalëshe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë. “Ne synojmë që përmes kabullit ndërlidhës me Italinë t’i shërbejmë Europës me energji të gjelbër dhe bashkë me miqtë tanë arabë të bëjmë para për t’ia shitur Europës”, shtoi Rama.

SHARE