EMISARI I BE-së PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI NIS VIZITËN NË PRISHTINË, TAKIME ME KURTIN DHE OSMANIN

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen nisi herët në mëngjes vizitën e tij të parë për këtë vit në Prishtinë. Të mërkurën takoi krerët shtetëror, kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmanin. Sorensen tha se e nis vitin “me shpresën që 2026 të sjellë atë që nuk e solli 2025” në procesin e negociatave.

“Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë”, u shpreh Peter Sorensen.

I pyetur për kushtin që ka Kurti për rikthim në diskutime të nivelit të lartë, atë të ekstradimit të Millan Radojiçiçit, personit që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjska, emisari evropian shkurtimisht tha se “do të shohin”.

“Përfaqësuesja e lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme. Ajo do të thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë e më pas do të shohim si të ecet përpara. Do të shohim”, tha Peter Sorensen.

I dërguari i BE-së për dialogun po ashtu tha se presin që të formohet kuvendi dhe qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ndërkohë, nga zyra e presidentes thanë se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situate e sigurisë, raportet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë.

Sa i përket dialogut sipas njoftimi Osmani “potencoi se Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Emisari Peter Sorensen të mërkurën në Prishtinë vazhdoi takimet edhe me liderët e partive opozitare, derisa të enjten, tha se mesazhet e njëjta do i përcjell edhe në Beograd.

SHARE