INSTITUCIONET E KOSOVËS DEKLAROHEN NJËZËRI KUNDËR VOTIMIT NË REFERENDUMIN E SERBISË

Institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, pas takimit me zyrtarët e vendeve të Kuintit dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë. Ato u kanë bërë thirrje vendeve të Kuintit që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë. Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Të premten, 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Mirëpo institucionet e Kosovës kanë thënë se vendimi i tyre nuk lidhet me rolin e OSBE-së, por rolin e Serbisë dhe strukturave të saj paralele në Kosovë.

SHARE