Duke parë si të rëndësishëm procesin e avancimit të rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe rolin destruktiv në dialogun e Brukselit (me mos zbatimin e marrëveshjeve) Bashkimi Evropian vendosi një mekanizëm të ri për të kushtëzuar Serbinë në procesin integrues, rrjedhimisht zbatimin e të gjitha obligimeve që dolën nga ky dialog.
Kapitulli 35 erdhi në momentin kritik, pas arritjes së marrëveshjeve të dialogut për normalizim (2013 – 2016) në mesin e të cilave ishin ajo për kodin telefonik, energjinë, asociacionin dhe shpërbërjen e strukturave paralele.
Kapitulli 35 ishte kryesisht kusht i Gjermanisë përmes Kancelares Angela Merkel e cila gjatë vizitës në Beograd gjatë asaj kohe e bëri shumë të qartë që Serbia duhet domosdo të heqë të gjithë ndërhyrjen ilegale që ka në Kosovë e sidomos në pjesën veriore dhe se vetëm një marrëveshje ligjërisht e obligueshme (që nënkupton njohjen) mund të hapë rrugë për anëtarësim të Serbisë në Bashkim Evropian.
Krahas kësaj duhet theksuar se edhe për Kosovën u vendos një mekanizëm pak a shumë i ngjashëm për të bërë monitorimin dhe pastaj vlerësimin e përmbushjes së obligimeve nga ana e Kosovës nga dialogu i Brukselit. Kosovës në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim ju vendos një nen në kontratë dhe u themelua grup i veçantë për normalizim i cili kohë pas kohe do të bëjë matjen e rezultateve në kuadër të plotësimit të zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit. Ky mekanizëm që nga ajo kohë ka mbajtur vetëm dy-tre takime.
Nëse i kthehemi përsëri kapitullit 35 që ka Serbia në rrugën e saj të negociatave me BE-në atëherë kuptojmë që tashmë kemi një situatë të re, sepse pjesa ma e madhe e atyre kushteve aty po shkelen në mënyrë flagrante nga ana e shtetit serb.
Kapitulli 35 ka dy blloqe kryesore të obligimeve që i dalin Serbisë nga dialogu i Brukselit dhe se për këtë BE-ja e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të tregojë përkushtim për të dhënë rezultate dhe përparim në zbatimin e gjitha obligimeve si dhe për të punuar drejt progresit të mëtejshëm në normalizim.
Blloku i parë i obligimeve që i ka pranuar Serbia në kuadër të kësaj ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së Parë të Prillit 2013 si dhe planit të zbatimit të majit për Marrëveshjet për Energjinë dhe Telekomin.
Ky bllok i obligimeve që ka Serbia përfshinë gjithashtu çështjen e zgjedhjeve lokale në komunat e pjesës veriore që u mbajtën për herë të parë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shpërbërjen e policisë së MUP-it serb në territorin e Kosovës, largimin e sistemit të drejtësisë së Serbisë, shuarjen e ish-mbrojtjes civile, hapjen e zyrave ndërlidhëse apo dërgimin për herë të parë të zyrtarëve ndërlidhës në Prishtinë dhe Beograd, marrëveshjen për energjinë e cila ende nuk po zbatohet, marrëveshja e Telekomit e cila është zbatuar në masë të madhe, etj.
Blloku i dytë i obligimeve që ka pranuar Serbia se do t’i arrijë t’i përmbushë ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve të muajve mars 2011 dhe shkurt 2012 e që kanë të bëjnë me dialogun teknik siç kanë qenë asokohe zyrat paralele të doganave të Serbisë për Kosovën, ndalimin e përdorimit të vulave të këtyre institucioneve paralele për Kosovën sipas obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të marrëveshjes së Janarit 2013 për vendosjen e kontrollit të Kosovës në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Pastaj Serbia është pajtuar që edhe marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit do të zbatohet por që fatkeqësisht kemi pasur vetëm 2 pikëkalime nga 6 që Kosova e Serbia ishin pajtuar që me fonde të BE do të ndërtohen si pikëkalime të përbashkëta kufitare, vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes për ndihmë juridike të ndërsjellë dhe angazhimin e Serbisë për t’i mbyllur gjitha kalimet ilegale nga Serbia në Kosovë në kuadër të luftës kundër kontrabandës, krimit rajonal, etj.
Po ashtu Serbia me atë kapitull pati marrë obligime që të zbatojë edhe marrëveshjen e lirisë së lëvizjes e cila edhe në këtë kohë u bë temë diskutimi sepse nuk ka pranuar deri tani që disa serbë në pjesën veriore t’i kalojnë targat e tyre ilegale në ato legale të Kosovës përkundër faktit se serbët në Kosovë sipas kësaj marrëveshje patën kohë të mjaftueshme deri në 10 vjet për të bërë këtë kalim dhe se shumica e tyre në fakt e kanë bërë një gjë të tillë. Vetëm ata serbë që vazhdojnë t’u shërbejnë strukturave ilegale të Serbisë ende po hezitojnë të bëjnë këtë kalim të targave të tyre. Serbia pati marrë obligime edhe për marrëveshjet për diplomatë që kur nuk u zbatua nga Serbia si dhe për bashkëpunimin rajonal që në shumë raste Serbia ka vazhduar ta sabotojë implementimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal të arritur në Bruksel më 24 shkurt 2012. Po ashtu më këtë kapitull Serbia ka pranuar obligimet që të bashkëpunojë me Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe se tashmë jemi dëshmitarë që jo vetëm e nuk po bashkëpunon, por javën që lamë pas strukturat kriminale kanë sulmuar edhe me armë pjesëtarët e këtij misioni në pjesën veriore.
Në bllokun e 3 të këtij kapitulli Serbia është angazhuar se do të mbetet e përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja, angazhohet për të arritur më tej marrëveshjet në subjekte/fusha të reja, duke çuar më tej normalizimin në mirëbesim, me synim gradualisht të çojë në normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në përputhje me kornizën negociuese.
Në masë të madhe Serbia nuk ka arritur të zbatojë këto obligime që i ka në rrugën e saj të BE-së dhe rrjedhimisht ka vazhduar të sabotojë kohë pas kohe dialogun për normalizim edhe pse e ka pasur të qartë nga ana e BE-së por edhe SHBA-së se pa përmirësuar marrëdhëniet ndërfqinjësore me Kosovën ajo nuk do të mund të këtë progres në rrugën e anëtarësimit për në BE.
Për shkak të mos qartësisë në politikën e saj të jashtme, sidomos raportet historike që ka me Rusinë, Serbia vazhdon të luajë me dy opsione, por si duket ka ardhur momenti për shkak të luftës së paprovokuar në Ukrainë ajo tashmë të përcaktohet strategjikisht me cilin krah dëshiron të rreshtohen në të ardhmen. Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë gjatë vizitë që ka pasur në Beograd gjatë këtij viti sa i përket dënimit të agresionit rus në Ukrainë ka deklaruar se “kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, të gjithë ata që ndajnë vlera të përbashkëta nuk mund të qëndrojnë mënjanë dhe duhet të kenë qëndrime të qarta jo vetëm brenda Evropës, por edhe brenda komunitetit ndërkombëtar”.
Nëse Serbia vazhdon më këtë dualizëm në politikën e saj të jashtme dhe qasjen destruktive ndaj Kosovës dhe dialogun, atëherë Serbia duket që nuk është e gatshme të heq dorë nga doktrina e saj hegjemone për të pasur primatin në Ballkan.
Plani franko-gjerman është rrjedha e re këtij kapitulli. Është Marrëveshja ligjërisht obliguese praktikisht njohja reciproke (me gjasë njohje e tërthortë) prandaj mund të konkludojmë se tensionet e fundit në komunat veriore janë “shqelmat e fundit” para kapitullimit përfundimtar të Serbisë karshi Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në konkludimin e shpejtë të kësaj marrëveshje dhe të mos pranojë rikthim në dialog teknik. Pas arritjes së marrëveshjes, delegacionet qeveritare mund të vazhdojnë komunikimin për zbatim të marrëveshjeve deri në integrim. Por njëherë njohja reciproke në kufijtë ekzistues.